Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka evidentuar se për siguracionin e jetës dhe shëndetit të ish-anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) janë kontraktuar mbi 46 milionë lekë, ose rreth 500 mijë euro, nga buxheti i shtetit.
Shifrat dalin nga Auditimi i Përputhshmërisë i KLSH-së në KPK. Aty thuhet se vlera totale e kontraktuar për sigurimin e jetës dhe/ose shëndetit të komisionerëve, personave të lidhur me ta, këshilltarëve dhe punonjësve ishte 46.464.536 lekë pa TVSH.
Procedura pa garë dhe një fitues i vetëm
Sipas analizës, pothuajse të gjitha procedurat e siguracionit janë fituar nga kompania “Sigal”. Dokumentet e tenderave tregojnë se ato janë zhvilluar pa garë dhe janë shënuar me “flamur të kuq”.
Mbulim edhe për dhëmbët
KPK u formalizua në vitin 2017 dhe funksionoi deri në 2024, si shkalla e parë e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (Vetingu). Për shkak të rëndësisë së rolit, ligji kishte parashikuar shpenzime të veçanta për anëtarët, përfshirë siguracion të plotë për jetën dhe shëndetin.
Sipas raportit, procedurat për 12 anëtarët e KPK-së parashikonin mbulim shpenzimesh edhe për probleme stomatologjike, gjë që nuk duket e arsyeshme të përballohej nga shteti.
