Studentët i larguan deputetët e PD nga protesta, Berisha: Rama dështoi ta përçajë tubimin

Pas protestës së së shtunës në Tiranë, ku studentët kundërshtuan praninë e deputetëve demokratë, Sali Berisha tha se përpjekja për ta përçarë tubimin dështoi dhe sulmoi Arlind Qorin.

Studentët i larguan deputetët e PD nga protesta, Berisha: Rama dështoi ta përçajë tubimin
Foto: European People's Party / Wikimedia Commons / CC BY 2.0 Dosja nr. 0026

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë me një deklaratë pas protestës së së shtunës në Tiranë, ku studentët nuk e pranuan praninë e deputetëve të PD-së dhe kërkuan largimin e tyre nga tubimi.

Berisha falënderoi studentët dhe gjimnazistët për qëndrimin përballë ndërhyrjes së Policisë. Ai përsëriti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe për një qeveri kujdestare, që sipas tij do të mundësonte zgjedhje të lira e të ndershme.

“Trimëria, vendosmëria e studentëve të revoltuar dhe gjimnazistëve mposhti në të gjitha rastet sulmet e egra të narkobanditëve, që u përpoqën të shtypin me dhunë protestën.”

Ai ftoi qytetarët dhe forcat politike të mbështesin revoltën studentore.

Akuza ndaj Qorit

Pjesa më e ashpër e deklaratës lidhej me largimin e deputetëve. Berisha pretendoi se pas kësaj qëndronte një përpjekje e Ramës për të përçarë protestën dhe drejtoi gishtin nga aktivistët e kreut të Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, që i cilësoi “Jago të revoltës studentore”.

“Sot dështoi në mënyrën më të turpshme përpjekja e Ramës për të përçarë protestën”, u shpreh Berisha.

Ai pretendoi gjithashtu se në këtë përpjekje ishin përfshirë persona të angazhuar nga Policia.

Të rinjtë kërkuan që protesta të ruajë karakterin studentor dhe të mos kthehet në aktivitet partiak.