Dega shqiptare e kompanisë Qinglong Petroleum, pjesë e një shoqërie nga Hong Kongu, u vu nën sekuestro nga administrata tatimore për detyrime fiskale të pashlyera, të paktën 100 milionë lekë të vjetra. Emri i saj përmendet edhe në hetimin e Prokurorisë së Fierit për koncesionarin e naftës, Bankers Petroleum.
Më 12 tetor 2026, Tatimet i kërkuan Qendrës Kombëtare të Biznesit të vendoste masën e sigurimit dhe të mos lejonte tjetërsimin e aksioneve të shoqërisë “Qinglong Petroleum Technology and Engineering Company LLP Albania Branch”. Në dokument thuhet se kompania, me administrator Junlin Sheng, ka një detyrim të pashlyer prej 10.788.188 lekësh të reja.
Sipas shkresës, shoqërisë i është dërguar njoftimi për pagimin e detyrimit, por shuma nuk është paguar. Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara ka urdhëruar që të mos lejohet tjetërsimi i pasurive, i të drejtave pasurore dhe i kuotave a aksioneve, deri në shlyerjen e plotë të borxhit.
Kompania u regjistrua në Shqipëri në dhjetor 2023, si degë e shoqërisë “China International Zoom Material Co Limited” nga Hong Kongu. Administratorë dhe përfaqësues ligjorë janë Jiang Yijun dhe Junlin Sheng.
Prokuroria e Fierit nisi hetimet në dhjetor 2024 për vepra penale si fshehja e të ardhurave, pastrimi i produkteve të veprës penale, shpërdorimi i detyrës dhe moskryerja e detyrave nga organet tatimore. Në fokus ishte veprimtaria financiare e Bankers Petroleum nga viti 2015, ndërsa prokurorët dyshojnë se koncesionari ka fryrë shpenzimet në mënyrë fiktive për të shmangur detyrimet ndaj shtetit. Figura kryesore e hetimit ishte administratori i kompanisë, Leonidha Çobo.
Prokuroria dyshon se një numër i lartë kompanish kanë shërbyer për të pastruar të ardhura të paligjshme të koncesionarit, mes tyre edhe Qinglong. Në dosjen e paraqitur në gjykatë në korrik 2025, për arrestimin e të paktën 14 personave, shqiptarë e të huaj, thuhet se pronari përfitues është kompani me seli në Hong Kong, “një juridiksion që shpesh përdoret për strukturim korporativ me qëllime të errëta fiskale ose ligjore”.
Sipas të dhënave të hetimit, kompania fillimisht kishte vetëm administratorin të punësuar. Në vitin 2024 stafi arriti në 24 persona, kryesisht nga Kina, ndër ta 10 që nuk kanë qenë asnjëherë në Shqipëri, por rezultojnë të paguar rregullisht. Po atë vit, kompania siguroi fitim prej rreth 1,3 milionë eurosh, me klientë Bankers Petroleum dhe Albdrilling, e cila dyshohet gjithashtu si pjesë e skemës.



