Letra e Veliajt nga burgu: Gogu më tha se Rama kërkon tri gjëra, nuk kam financuar protesta

Erion Veliaj ka publikuar një letër të shkruar me dorë për takimin me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe i kërkon Edi Ramës prova për pretendimet mbi protestat studentore.

Letra e Veliajt nga burgu: Gogu më tha se Rama kërkon tri gjëra, nuk kam financuar protesta
Dosja nr. 0077

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar një letër të shkruar me dorën e tij për takimin me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, në burg. Në të ai përshkruan atë që pretendon se i është thënë gjatë bisedës dhe mohon çdo përfshirje në organizimin apo financimin e protestave studentore.

Veliaj i kërkon kryeministrit Edi Rama të nxjerrë prova për këto aludime. Ai thotë se nuk do të lejojë askënd të cenojë dinjitetin e tij. “Dua të siguroj socialistët se unë nuk e gjuaj shtëpinë time socialiste me gurë, por as nuk lejoj të gjuajë me gurë askush mbi dinjitetin tim”, shkruan ai. Më tej shton se ka më pak liri se kryeministri, por shumë herë më tepër dinjitet.

Aludimet për organizim ose financim të protestave Veliaj i cilëson “haluçinacione bolshevike”. Ai pretendon se e gjithë e vërteta e takimit me Gogun gjendet në letrën e publikuar.

Sipas shënimeve të tij, takimi u zhvillua të premten në orën 22:30, pasi ministri u paraqit për takim pas 20 muajsh. Në letër kryeministri përmendet me inicialin “R” dhe ministri me “TG”. Veliaj pretendon se Gogu i ka thënë që Rama ka qenë personalisht i përfshirë në transferimin e tij, në izolimin në burg dhe në çështje si lejet për spital, takimet dhe kontaktet me miqtë e familjarët.

Sipas Veliajt, kryeministri e ka anashkaluar ministrin e Drejtësisë dhe ka vendosur tri kërkesa ndaj tij. E para është të pranojë përfshirjen në çështjen “Flamingot – Studentët”, përndryshe do t’i shtohen akuzat për “prishje të rendit kushtetues” dhe rrezikon 100 vjet burg në burgjet 313 dhe 302.

Kërkesa e dytë është të heqë dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe t’ia delegojë pushtetin Arbër Hajdarit. E treta është të mos konsultohet më me avokatin Plarent Ndreca.

Në fund Veliaj i drejtohet drejtpërdrejt kryeministrit: “Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave. Ndryshe ik!”.