Burgu i Fierit s’e lë të hyjë, ankohet avokati i Erion Veliajt: Kërcënon me kallëzim për shpërdorim detyre

Plarent Ndreca, mbrojtësi i Erion Veliajt, pretendon se për të dytën herë i është refuzuar hyrja në burgun e Fierit dhe i kërkon drejtorit të ndërhyjë, përndryshe do të kallëzojë penalisht punonjësit.

Burgu i Fierit s’e lë të hyjë, ankohet avokati i Erion Veliajt: Kërcënon me kallëzim për shpërdorim detyre
Dosja nr. 0040

Avokati Plarent Ndreca ka ngritur shqetësimin se po i pengohet takimi me të mbrojturin e tij, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, që mbahet në paraburgim në burgun e Fierit. Me një shkresë drejtuar drejtorit të institucionit, ai pretendon se i është refuzuar hyrja për herë të dytë.

Sipas Ndrecës, ky refuzim cenon të drejtën për mbrojtje dhe pengon ushtrimin e detyrës së tij profesionale. Ai i referohet nenit 51 të ligjit, i cili, sipas tij, garanton të drejtën e avokatit për t’u takuar me klientin në çdo kohë.

Avokati paralajmëron se, nëse situata nuk zgjidhet, do t’i drejtohet oficerit të policisë gjyqësore për të depozituar kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj punonjësve që e konsideron përgjegjës për pengimin. Ai i kërkon drejtorit të burgut të ndërhyjë menjëherë për të garantuar zbatimin e ligjit.

Ndreca thekson se nuk ka pasur qëllim ta përshkallëzojë apo ta bëjë publike çështjen, por se përsëritja e pengesës e detyron të ndjekë rrugën ligjore. Në letër shkruan:

“Respektimi i ligjit nuk është çështje vullneti apo diskrecioni të punonjësve të institucionit. Është detyrim!”

Sipas tij, e drejta e mbrojtjes nuk mund të varet nga vullneti apo interpretimi i punonjësve të burgut.