Serbi, revokohet licenca e ALTA Bankës dhe nisin hetimet për dyshimet e daljes së 50 milionë eurove

Banka Qendrore e Serbisë ka bërë kallëzim penal ndaj ALTA Bankës dhe disa përgjegjësve të saj, ndërsa Prokuroria heton nëse janë kryer transferime të paligjshme jashtë vendit.

Serbi, revokohet licenca e ALTA Bankës dhe nisin hetimet për dyshimet e daljes së 50 milionë eurove
Dosja nr. 0036

Banka Kombëtare e Serbisë ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë për Krimin e Organizuar kundër ALTA Bankës dhe disa personave përgjegjës të saj. Banka është në pronësi të biznesmenit Davor Macura, i cili raportohet se ka lidhje të afërta me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Më 27 tetor, Prokuroria kërkoi të dhënat për të gjitha transaksionet e kryera drejt vendeve të huaja. Dy ditë më pas, kërkesa u zgjerua për të përfshirë konvertimin e valutave dhe daljen e fondeve nga llogaritë e bankës. Më 30 tetor, ajo iu drejtua Ministrisë së Brendshme dhe Shërbimit për Luftën kundër Krimit të Organizuar, duke kërkuar verifikimin e aktivitetit të bankës dhe të personave përgjegjës në Bankën Qendrore.

Sipas mediumit serb “Vreme”, avokati Ivan Niniq kishte ngritur më herët shqetësime për një proces të përshpejtuar të transferimit të kapitalit jashtë Serbisë, drejt llogarive dhe subjekteve juridike në Moskë dhe Shkup. Kryetari i Partisë Demokratike në Serbi, Srdan Milivojeviq, pretendoi se ishte përgatitur transferimi i 50 milionë eurove nga ALTA Banka drejt një institucioni financiar jashtë vendit.

Opozita maqedonase kërkoi sqarime nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, duke dyshuar se vendi mund të përdorej si pikë tranziti për paratë drejt Moskës. Banka Kombëtare e Serbisë kishte deklaruar se pretendimet e pakonfirmuara për transferime të dyshimta mund të shkaktonin shqetësim të pajustifikuar te publiku. Destinacioni përfundimtar i 50 milionë eurove nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Pas revokimit të licencës, procedurat e falimentimit do t’i administrojë Agjencia e Sigurimit të Depozitave, me vendim gjykate. Banka Qendrore garantoi se depozitat e siguruara, deri në 50 mijë euro për depozitues, mund të tërhiqen sipas procedurave përkatëse, ndërsa klientët do të njoftohen se në cilën bankë mund t’i marrin paratë.

Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse janë kryer transferime të paligjshme dhe kush mban përgjegjësi për gjendjen financiare e veprimtarinë e bankës.