Protestat e studentëve dhe qytetarëve kundër qeverisë së Edi Ramës kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat kanë raportuar për përplasjet e 31 tetorit në Tiranë dhe për kërkesën për largimin e kryeministrit.
The Times of Israel: nga tubimi paqësor te përshkallëzimi
Gazeta izraelite i referohet mbrëmjes së 31 tetorit, kur protestuesit u përplasën me Policinë dhe hodhën molotovë e gurë. Gjatë valës së protestave pati edhe arrestime.
Me fotografi të Associated Press, shkrimi përshkruan situatën para Ministrisë së Arsimit. Tubimi atje nisi paqësisht, por më pas u dogjën kosha mbeturinash dhe drejt efektivëve u hodhën sende të forta.
Gazeta e quan këtë lëvizje sfidën më të madhe për Ramën, në pushtet që nga viti 2013. Ajo kujton se protestat nisën me kundërshtimin e një projekti turistik të lidhur me Jared Kushner dhe u zgjeruan me kërkesa kundër korrupsionit, problemeve në arsim dhe mungesës së perspektivës për të rinjtë.
Reuters dhe France 24
Reuters, në materialet e 24 dhe 25 tetorit, përshkroi përplasjet me Policinë, përdorimin e gazit lotsjellës, autobotëve me ujë dhe plumbave prej gome, si dhe këmbënguljen e protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit. Agjencia e lidh mobilizimin e udhëhequr nga studentët me korrupsionin e perceptuar, mungesën e vendeve të punës dhe nivelin e dobët të arsimit. Ajo pasqyron edhe masat e qeverisë për të frenuar incidentet.
France 24, me materiale nga AFP dhe Reuters, përcolli shqetësimin e Bashkimit Europian për përshkallëzimin e situatës. BE-ja ka bërë thirrje për hetimin e pretendimeve për përdorim të tepruar force nga Policia dhe për uljen e tensioneve nga të gjitha palët.
Mediat italiane dhe Le Monde
Agjencia ANSA raportoi për incidentet e 31 tetorit, ndërsa Sky TG24 dhe La Stampa pasqyruan përplasjet me Policinë dhe kundërshtimin e një pjese të studentëve ndaj pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Partisë Demokratike në tubim. Le Monde i kushtoi një analizë më të gjerë revoltës, duke e lidhur me pakënaqësitë ndaj qeverisjes, korrupsionin dhe problemet e akumuluara ndër vite.



