Gjimnazistë durrësakë në ekskursion në Mal të Zi, mbahen për orë në komisariat në Kotor

Një autobus dhe një furgon me nxënës të gjimnazit "Naim Frashëri" nga Durrësi u ndaluan nga policia në Kotor dhe nxënësit u mbajtën për disa orë. Arsyeja e ndalimit nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Gjimnazistë durrësakë në ekskursion në Mal të Zi, mbahen për orë në komisariat në Kotor
Dosja nr. 0032

Nxënës të gjimnazit “Naim Frashëri” të Durrësit, që ndodheshin në një udhëtim turistik në Mal të Zi, u mbajtën për disa orë në ambientet e policisë në Kotor, pasi autobusi dhe furgoni me të cilët udhëtonin u ndaluan nga forcat e rendit. Në mjete ishin nxënës të mitur dhe mësues shoqërues.

Në fillim, familjarëve nuk u ishte bërë e ditur shkaku i ndalimit. Për këtë arsye, ata kërkuan ndihmën e Ambasadës Shqiptare në Mal të Zi dhe të institucioneve arsimore në Durrës.

Më vonë u mor një informacion tjetër, sipas të cilit ndalimi dyshohet se lidhet me një incident me disa nxënës. Sipas këtij pretendimi, tre prej tyre kanë bërë gjestin e shqiponjës me duar, ndërsa një nxënës tjetër dyshohet se është përfshirë në një përplasje me një grua malazeze, e cila pastaj ka njoftuar policinë.

Sipas informacioneve të fundit, pjesa më e madhe e grupit është larguar nga komisariati dhe është nisur drejt hotelit. Katër nxënës dhe një mësuese raportohet se vijojnë të jenë në ambientet e policisë në Kotor.

Deri tani nuk ka konfirmim zyrtar për rrethanat e incidentit dhe as për arsyen e saktë të ndalimit të grupit. Kërkohet sqarim nga Ambasada Shqiptare në Mal të Zi, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, autoritetet policore malazeze dhe Drejtoria Arsimore në Durrës, për të sqaruar çfarë ka ndodhur dhe pse nxënësit e mitur u mbajtën për kaq shumë orë.