Avokati Plarent Ndreca ka bërë të ditur se kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, është vënë përpara një ultimatumi në burgun e Fierit, ku ndodhet në paraburgim. Sipas tij, mesazhi i është përcjellë nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në emër të kryeministrit Edi Rama.
Ndreca thotë se Veliajt i është kërkuar të dorëzojë menjëherë mandatin, t’ua delegojë kompetencat personave që do të caktonte Rama dhe të heqë dorë nga mbrojtësi. Në rast refuzimi, ai do të transferohej në një burg tjetër dhe SPAK do të nisë hetime të reja ndaj tij.
Denoncimi u publikua fillimisht nga Hashtag.al. Sipas kësaj versioni, ministri Gogu ka mbërritur me urgjencë në burg mbrëmjen e së premtes, më 30 tetor, dhe ka hyrë pa u regjistruar. Ai i ka thënë Veliajt se po e përcillte tekstualisht porosinë e kryeministrit, i cili nga ai çast do t’i drejtohej vetëm si kryeministër.
Sipas avokatit, Veliaj nuk e ka pranuar ultimatumin dhe ka dhënë përgjigje të menjëhershme: “dhe sikur 100 vite burg të bëj, nuk ja marr fytyrën fëmijëve të mi”. Takimi ka zgjatur vetëm pak minuta.
Për dy ditë me radhë Veliaj nuk ka pasur mundësi ta njoftojë ngjarjen. Çështja u bë e ditur të hënën, pasi Ndreca e takoi në burgun e Fierit.
Veliaj është në paraburgim që nga shkurti i vitit 2025. Në mars të atij viti firmosi nga qelia emërimin e Sara Goxhajt si nënkryetare në vend të Anuela Ristanit, por u tërhoq brenda 24 orësh, duke thënë se nuk kishte pasur informacionin e duhur. Në shtator Këshilli Bashkiak e shkarkoi, por Gjykata Kushtetuese e riktheu në detyrë.
Më 26 tetor Veliaj përshëndeti fitoren e Listës Studentore ndaj Aleksandër Vuçiçit në Serbi dhe shkroi se protestat studentore nuk janë “fundi i botës”, por fundi i “një bote”. Më 28 tetor ai u transferua nga paraburgimi i Durrësit në Fier. Drejtoria e Burgjeve e justifikoi lëvizjen me masa sigurie dhe e klasifikoi urdhrin si “sekret shtetëror”, ndërsa Veliaj e cilësoi “rrëmbim policor”.
Më 30 tetor Veliaj shkarkoi nënkryetarët Vasilika Vjero dhe Ilir Mëngra dhe emëroi Etleva Bishën. Po atë mbrëmje, sipas denoncimit të konfirmuar nga Ndreca, ministri Gogu shkoi në burgun e Fierit.



