Vlerë Gjakova emërohet këshilltare për median pranë Kryeministrit Rama

Vlerë Gjakova, e lindur në Maqedoninë e Veriut, ka marrë detyrën e këshilltares për çështjet e medias në kryeministri para dy javësh, sipas burimeve qeveritare.

Vlerë Gjakova emërohet këshilltare për median pranë Kryeministrit Rama
Dosja nr. 0042

Vlerë Gjakova është emëruar këshilltare për çështjet e medias pranë Kryeministrit Edi Rama, sipas burimeve qeveritare. Në profilin e saj në LinkedIn ajo e përshkruan veten si “stratege për çështjet e medias”.

Sipas të njëjtave burime, Gjakova e ka marrë zyrtarisht detyrën dy javë më parë. Ajo është lindur në Maqedoninë e Veriut dhe ka jetuar për një kohë të gjatë në Kosovë, ku para tetë vitesh iu bashkua Vetëvendosjes së Albin Kurtit. Në zgjedhjet e vitit 2019 ishte kandidate për deputete nën siglën e kësaj force politike, fakt që e ka bërë publik vetë në rrjetet sociale. Ajo ka komentuar herë pas here zhvillimet politike në Kosovë e në Shqipëri dhe ka qenë pjesë e rubrikës “Rrethi Katror” në emisionin “E Diell” në Top Channel, nën moderimin e Edi Manushit.

Është parë një e-mail i shefes së kabinetit në kryeministri, Vilma Guri, drejtuar sekretarëve të përgjithshëm të ministrive, ku njoftohet roli i Gjakovës. Në të kërkohet që këshilltarët e medias në çdo ministri të zhvillojnë takime me të, për t’i paraqitur strategjitë e komunikimit.

Në LinkedIn ajo e përshkruan veten si stratege komunikimi, eksperte e energjisë së rinovueshme dhe publiciste me 18 vjet përvojë në strategjitë e medias dhe marrëdhëniet me publikun. Sipas burimeve të hapura, ka një master në Filozofi dhe Psikanalizë pranë Qendrës Kërkimore për Filozofinë Greke dhe një tjetër në Metafizikë, Epistemologji, Filozofi Morale dhe Politike në Universitetin Aristotel të Selanikut. Studimet bachelor i ka kryer në Komunikim dhe Gazetari në Institutin Maqedonas për Media, përfshirë studime në Ekonomi dhe Tregti Ndërkombëtare.

Më parë ka punuar si strategjiste komunikimi dhe eksperte e energjisë së rinovueshme, me fokus te qytetet e zgjuara e të gjelbra dhe ekosistemet digjitale. Ka qenë zëdhënëse dhe përgjegjëse e marrëdhënieve me publikun për EVN Maqedoni. Përvoja e saj përfshin bashkëpunime me Komunën e Çairit, OJQ-në VEPRO! (ACT), Coca-Cola Kosovo dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN). Ajo është aktive si aktiviste për të drejtat e njeriut dhe ato civile, feministe dhe publiciste, dhe ka shkruar për platforma si Observatori Evropian i Gazetarisë.