Një qytetar ka denoncuar Raiffeisen Bank para filialit të saj pranë Komunës së Parisit në Tiranë, duke deklaruar se nga llogaria e tij janë marrë para pa autorizim dhe se dëmi nuk i është kompensuar tërësisht.
Denoncimi u bë ndërsa në të njëjtën degë policia kryente veprime hetimore për një grabitje me armë të raportuar atje.
Para mediave, qytetari tregoi se fillimisht kishte vënë re që i mungonin 23 euro nga llogaria. Sipas tij, punonjësit e bankës i kishin thënë se shuma do t’i kompensohej.
Ai pretendon se pas disa muajsh nga llogaria i janë tërhequr edhe 7 mijë euro. Banka i ka kthyer 3 mijë euro, ndërsa 4 mijë euro të tjera, thotë ai, nuk i janë rimbursuar kurrë.
Qytetari u shpreh se prej dy vitesh përpiqet t’i marrë paratë, por pa rezultat. Ai pretendon gjithashtu se punonjësit e filialit nuk e lënë më të hyjë në ambientet e bankës.
“Këtu më kanë vjedhur mua llogarinë time. Kam shkuar, i kam njoftuar bankierët për herën e parë që më kanë vjedhur 23 euro. Bankierët më kanë thënë që do të kompensojmë. Pas një kohe tremujore më grabitën vlerën 7 mijë euro. Më kompensuan 3 mijë euro, më thanë do të kompensojmë edhe 4 mijë euro. Ku janë paratë? Kam dy vjet që vij vërdallë”, deklaroi ai.
Qytetari tha se ka kërkuar zgjidhje edhe pranë institucioneve të drejtësisë, por nuk ka marrë përgjigje. “Shkoj te drejtësia, drejtësia ngre duart lart”, u shpreh ai për “Syri Tv”.
Ai paralajmëroi se do t’u bashkohet protestave, duke e lidhur vendimin me pakënaqësinë për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet ankesa e tij.



