Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, dyshohet se ka vizituar pa u regjistruar të paraburgosurin Erion Veliaj në burgun e Fierit, mbrëmjen e së premtes më 30 tetor, për t’i përcjellë një mesazh që i atribuohet kryeministrit Edi Rama. Pretendimi nuk është konfirmuar nga institucionet dhe mbështetet vetëm te versioni që po qarkullon.
Sipas këtij versioni, vizita nuk është shënuar në fletoren e burgut. Gogu pretendohet se ka mbërritur me urgjencë, i veshur sportiv dhe me kapele në kokë, dhe ka shkuar te qelia pa dritare e Veliajt, ku të dy kanë qenë vetëm.
Me zë të dridhur, Gogu pretendohet t’i ketë thënë Veliajt se kishte disa gjëra që ishte i detyruar t’ia përcillte. Ai ka thënë se ishte aty me porosi të kryeministrit dhe do t’ia përcillte tekstualisht mesazhin.
Në mesazhin e atribuuar Ramës thuhet se kjo ishte hera e fundit që i drejtohej si “babai politik” dhe se nga ajo ditë do t’i drejtohej vetëm si kryeministër. Kërkesat kanë qenë katër: dorëzimi urgjent i mandatit, delegimi i pushtetit te emrat që do të caktonte Rama, heqja dorë nga avokati Plarent Ndreca dhe pranimi i përfshirjes në çështjen “Flamingo”.
Në të kundërt, sipas këtij versioni, Veliaj do të transferohej në burgun 302, SPAK do të orientohej të nisë hetime për minim të rendit kushtetues dhe ai do të “kalbej” në burg.
Veliaj pretendohet se është përgjigjur menjëherë: “dhe sikur 100 vite burg të bëj, nuk ja marr fytyrën fëmijëve të mi”.
Episodi thuhet se ka zgjatur pak minuta. Për dy ditë me radhë Veliaj nuk ka mundur ta njoftonte askënd. Vetëm të dielën në mëngjes avokati i tij, Plarent Ndreca, e ka takuar dhe ka marrë vesh ngjarjen.



