Gjobat do të vijnë nga qendra e monitorimit: nga janari policia nis kontrollin me radarë në 14 aksa rrugore

Nga 1 janari pritet të vihen në punë radarët inteligjentë në 14 segmente rrugore me gjatësi rreth 200 kilometra, ndërsa policia po trajnon efektivët që do t'i ndjekin nga Qendra e Monitorimit të Trafikut.

Gjobat do të vijnë nga qendra e monitorimit: nga janari policia nis kontrollin me radarë në 14 aksa rrugore
Dosja nr. 0056

Rreth 200 kilometra rrugë në Shqipëri pritet të monitorohen me radarë inteligjentë nga 1 janari, kur sistemet e reja do të evidentojnë shkeljet e qarkullimit në akset kryesore. Pajisjet janë instaluar disa muaj më parë në disa nga rrugët më të frekuentuara dhe tani po bëhen përgatitjet për vënien e tyre në funksion.

Sipas informacioneve, Policia e Shtetit ka nisur trajnimet për një grup efektivësh që do të analizojnë të dhënat e radarëve nga zyrat e Qendrës së Monitorimit të Trafikut. Ata do të kenë në dispozicion sisteme inteligjente për të identifikuar shkeljet dhe për të ndjekur në kohë reale lëvizjen e mjeteve. Për këtë detyrë të re pritet një rishikim page, që mund të arrijë deri në 1800 euro.

Teknologjia parashikon përdorimin e sistemeve kombëtare të mbikëqyrjes tokësore, detare dhe ajrore, me pajisje stacionare dhe të lëvizshme. Radarët do të regjistrojnë dhe transmetojnë të dhëna për pozicionin, kursin, shpejtësinë, kohën dhe përmasat e objektivit. Kamerat do të fotografojnë e filmojnë lëvizjen e automjeteve, duke krijuar një bazë të dhënash për shkeljet. Sistemi parashikon edhe integrimin e kamerave me rreze aktive, sensorëve dhe pajisjeve me frekuenca radioje.

Faza e parë përfshin 14 segmente me gjatësi totale afro 200 kilometra. Ato lidhin Tiranën me Durrësin, Elbasanin, Fierin dhe Vlorën, si dhe zonat e Kavajës, Rrogozhinës dhe Lushnjës. Segmentet kryesore janë Tiranë–Durrës (32 km, nga Sheshi Shqiponja te Mbikalimi i Portit), Tiranë–Elbasan (26.4 km, nga TEG-u në Bradashesh), Lushnjë–Fier (20 km), Unaza e Fierit (21.5 km) dhe Fier–Vlorë (24 km).

Në listë përfshihen gjithashtu Durrës–Plazhi i Unazës (5.9 km), Durrës–Kavajë (9.81 km), Unaza e Kavajës (7.89 km), Kavajë–Rrogozhinë–Lushnjë (13.9 km), Unaza e Lushnjës (4.62 km), Vorë–Ahmetaq (6.52 km), Qafë-Kashar–Rinas–Ahmetaq (9.59 km), si dhe kryqëzime e rampa lidhëse me gjatësi 5 km.

Me sistemin e ri, kontrolli i Policisë Rrugore synohet të mos varet vetëm nga patrullat në terren, por edhe nga teknologjia që regjistron lëvizjen e mjeteve. Këto 200 kilometra do të shërbejnë si fazë fillestare e një rrjeti më të gjerë, që synon të përfshijë gradualisht edhe akse të tjera.