Prokuroria e Posaçme (SPAK) ndodhet para dy rrugësh pas pretendimit të avokatit Plarent Ndreca: ose hetim ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, ose akuza shtesë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Kështu argumentohet në një shkrim që kërkon nisjen e hetimeve kryesisht.
Ndreca, avokat i Veliajt, pretendon se klienti i ka treguar që të premten në mbrëmje, vonë natën, ministri Gogu i ka shkuar në qeli dhe i ka përcjellë një mesazh nga Rama. Sipas tij, Gogu i ka thënë se vjen me porosi të kryeministrit dhe do t’ia përcjellë tekstualisht.
Mesazhi, sipas Ndrecës, ka qenë se është hera e fundit që Rama i drejtohet si “babai politik” dhe se nga ai çast do t’i drejtohet vetëm si kryeministër. Veliaj duhej të dorëzonte urgjentisht mandatin, të delegonte pushtetin te emrat që do të caktonte Rama dhe të hiqte dorë nga avokati Ndreca. Në të kundërt, pretendohet se do të transferohej në burgun 302, ndërsa SPAK do të orientohej të nisë hetime për minim të rendit kushtetues.
Ministri Gogu e ka pranuar takimin, por jo mesazhin. Ai ka thënë se ka shkuar si mik i Veliajt dhe si ministër, për t’u njohur me pretendimet e tij.
Autori i shkrimit vlerëson se shprehja “do orientoj SPAK-un” është më e rëndë se vetë kërcënimi i pretenduar. Ai kërkon që Prokuroria Speciale të nisë hetime kryesisht mbi deklaratat e Ndrecës dhe të marrë në pyetje Gogun e Ramën si persona në dijeni, madje edhe Veliajn në qeli.
Nëse pretendimet vërtetohen, sipas shkrimit, Rama e Gogu do të përgjigjeshin penalisht për shantazh, kërcënim dhe shpërdorim detyre, me rrezik dënimi nga 3 deri në 7 vjet burg. Në të kundërt, thuhet se Veliajt mund t’i shtohet edhe një akuzë tjetër, atë për cënim të rendit kushtetues.
Gogu është përshkruar si mik i hershëm i Veliajt, i cili ka qenë dddëshmitar në martesën e tij, si dhe jurist në profesion.



