Një i ri shqiptar, 20-vjeçari Thomas Qirjaj, ka vdekur në Itali pasi u godit nga një automjet në autostradë, në orët e para të mëngjesit të djeshëm.
Sipas medias italiane, ai udhëtonte me katër shokë me një makinë “Volvo” në drejtim të Milanos. Pas pikës së pagesës, automjeti humbi kontrollin dhe u përplas me barrierën ndarëse.
Si ndodhi ngjarja
Pas përplasjes, Thomas zbriti nga makina për të sinjalizuar praninë e automjetit në rrugë. Në atë çast e goditi një fuoristradë e drejtuar nga një 25-vjeçar, i cili sipas rindërtimit paraprak nuk arriti ta dallonte në kohë.
Ai u transportua me urgjencë në spitalin Predabissi, por humbi jetën pak më vonë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve. Katër shokët që ishin me të nuk pësuan lëndime të rënda.
Hetimet dhe reagimet
Hetimet i ka nisur Policia Rrugore e Guardamiglios, së bashku me Prokurorinë e Lodit. Autoritetet po punojnë për të zbardhur rrethanat, ndërsa drejtuesi i fuoristradës pritet t’i nënshtrohet testeve toksikologjike, sipas procedurës.
Kryetarja e bashkisë, Roberta Battaglia, shprehu ngushëllime për familjen dhe e cilësoi humbjen të papritur dhe tepër të dhimbshme. Ajo e kujtoi Thomasin si një djalë që e kishte parë të rritej dhe që ishte integruar mirë në komunitet.
Thomas kishte lindur në Piacenza, në një familje shqiptare që jeton prej vitesh në Caorso. Ishte fëmija i vetëm. Nëna punon si punëtore, ndërsa babai është i punësuar në Zvicër.



