Operacion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me Call Center: shtatë të ndaluar në Kosovë, Gjermania kërkon ekstradimin

Shtatë persona u arrestuan në Kosovë në një operacion me mbështetjen e Eurojust dhe Europol kundër një rrjeti të dyshuar për mashtrime me platforma të rreme investimesh. Dëmi llogaritet në mbi 4 milionë euro.

Operacion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me Call Center: shtatë të ndaluar në Kosovë, Gjermania kërkon ekstradimin
Dosja nr. 0091

Një rrjet i dyshuar për mashtrime me platforma të rreme investimesh është goditur nga një operacion ndërkombëtar, ku shtatë persona janë arrestuar në Kosovë. Ndaj tyre është kërkuar ekstradimi drejt Gjermanisë. Aksioni u koordinua nga autoritetet ligjzbatuese, me mbështetjen e Eurojust dhe Europol.

Sipas të dhënave të Eurojust, grupi dyshohet se ka mashtruar qytetarë përmes skemave të investimeve online. Dëmet financiare llogariten në mbi 4 milionë euro.

Në fazën e fundit të operacionit u kryen kontrolle në 17 ambiente dhe u sekuestruan mbi 100 serverë. Dyshohet se ata kanë shërbyer për funksionimin e infrastrukturës teknologjike të rrjetit.

Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe veprimtarinë e një kompanie me lidhje në Qipro dhe Izrael. Ajo dyshohet se u ofronte grupeve kriminale shërbime të gatshme për ngritjen dhe administrimin e platformave mashtruese. Skema funksiononte sipas modelit “Crime-as-a-Service” (krimi si shërbim), ku subjekte të specializuara u japin grupeve kriminale teknologjinë, faqet e internetit dhe mjetet e nevojshme.

Dyshohet gjithashtu se klientë të kompanisë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut kanë përdorur qendra telefonike (Call Center) për të kontaktuar viktimat dhe për t’i orientuar drejt platformave të rreme. Përmes tyre, personat e përfshirë dyshohet se i bindnin qytetarët të investonin para, duke krijuar përshtypjen e fitimeve reale.

Autoritetet e Kosovës konfirmuan se aksioni u zhvillua në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare. Deri tani nuk janë bërë publike të gjitha detajet për identitetin e të arrestuarve dhe subjektet e kontrolluara në Kosovë. Hetimet vazhdojnë për të sqaruar mënyrën e funksionimit të rrjetit, përmasat e veprimtarisë dhe rolin e personave e kompanive të përfshira.